Presidenti serb, Aleksander Vuçiq, ka bërë të ditur se është hedhur në ofensivë për ta bindur presidentin e Kenisë, William Ruto, që Kenia të mos e njohë pavarësinë e Republikës së Kosovës.
Ai nga Kina, ka treguar se ka pasur një bisedë me presidentin e Kenias dhe se i ka shprehur atij pritjet e Serbisë që shteti kenian të mos e njohë Kosovën.
Vuçiq ka folur për këtë çështje dhe ka thënë se ish-kryediplomati kosovar, Behgjet Pacolli, ka një ndikim shumë të madh në përpjekjen për të marrë njohjen nga Kenia.
“Kjo është për shkak të ndikimit të madh të Pacollit dhe qëllimit të tyre për të shpallur se Kenia do të njohë Kosovën e pavarur. Dhe besoj se kjo nuk do të ndodhë,” ka thënë Vuçiq.
“Kam pasur një bisedë shumë të gjatë me presidentin Ruto dhe mendoj se jemi kuptuar mirë për çështjen e respektimit të së drejtës ndërkombëtare publike, nuk mund të flasësh kurrë në emër të dikujt tjetër, por përsa na përket neve, mendoj se kemi bërë një punë e mirë dhe e presim së shpejti në Beograd”, ka thënë ai.