Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq ka folur për takimin që e pret në Bruksel me Kryeministrin Albin Kurti, shkruan Fol Drejt.
Duke folur për takimin e radhës Aleksandër Vuçiq citohet të ketë thënë se ai nuk është budalla që të mos përgatitet, duke e pritur se çfarë e pret atje.
“Nuk ka shumë për të biseduar me Kurtin. Ai njeri menjëherë fillon të flasë për Sllobodan Millosheviqin, vuajtjet e tij…, nuk e di, Adem Demaqin… Atëherë e kupton se ai ka mbetur prapa në atë kohë, dhe kaq…” – citohet të ketë thënë Vuçiq.
Por ka shtuar se në Bruksel do të bisedohet edhe për çështjet që janë në interes edhe të serbëve, “sigurisht që do të flitet për formimin e Asociacionit.”
Ai i ka përshkruar edhe përballjet e mëhershme me Kurtin duke thënë se tashmë ia ka mësuar taktikën. Kurti do të insistojë që “unë të pranoj gjithçka, që Serbia të pranojë gjithçka”, ka thënë Aleksandër Vuçiq.
Vuçiq ka folur me përçmim për ministrin për Komunitete dhe Kthim Nenad Rashiq dhe këshilltaren e tij Rada Trajkoviq, për të cilët ka thënë se “ata janë serbët më të këqij”, të cilët “nuk do t’i zgjidhte askush për asgjë”, dhe se “ata punojnë vetëm për shqiptarët”.
Për më shumë ai e ka quajtur Rashiqin tregtar droge, ndërsa Trajkoviqin shpifëse dhe trilluese për nxjerrjen e marrëzive./FolDrejt/