Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, të cilët sot në Beograd u takuan me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë kërkuar nga ai që të mbështesë vendimin për të braktisur të gjitha institucionet e Kosovës në të cilat ata punojnë.
Këtë kërkesë e konfirmoi presidenti Vuçiq gjatë një konference për media pas takimit me përfaqësuesit e serbëve të veriut dhe jugut të Kosovës.
“Braktisja e parlamentit dhe gjitha institucioneve lokale ku janë zgjedhur në bazë të ligjeve të Kosovës, braktisja e policisë rajonale në veri, prokurorisë dhe të gjithë sistemit të drejtësisë së Kosovës” ka thënë presidenti Vuçiq duke dhënë detaje për kërkesën e 150 përfaqësuesve të serbëve të Kosovës të cilët ishin në këtë takim.
Megjithatë presidenti serb tha se i ka lutur përfaqësuesit e serbëve të Kosovës të kenë durim edhe 45 ditë deri në takimin e tij të planifikuar me presidentin e Kinës Xi Jinping, në fund të prillit në Pekin, në kuadër të samitit “Rruga e Mëndafshit”.
Ai tha se deri atëherë, për rrethanat e reja, do të diskutojë edhe me përfaqësuesë të tjerë ndërkombëtarë.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, edhe njëherë iu bëri thirrje serbëve të Kosovës të mos marrin pjesë në Ushtrinë e Kosovës sepse, siç tha, “ajo shërben vetëm për sulme ndaj serbëve”. Ndërkaq, atyre që janë bërë pjesë e Ushtrisë së Kosovës iu bëri thirrje të largohen nga ajo.
Presidenti Vuçiq sikurse drejtori i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, komentuan sërish emërimin e Dijana Zhiviq si ministre e Bujqësisë në Qeverinë e Kosovës.
Ata e quajtën atë “ministre private” e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.