Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i është përgjigjur, ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçlës, i cili kishte thënë se nëse Vuçiq vjen pa leje në Kosovë, do të arrestohet.
“Në fund do të shohim kush kë do ta arrestojë”, tha Vuçiq në Nju Jork, raportojnë mediat serbe, përcjell Fol Drejt.
Sveçla, tha se “është çështje vendimmarrëse e kryeministrit në qoftë se ka kërkesë, a i jep leje apo jo Vuçiqit”, por “për pa leje”, ai tha se “dihet cilat institucione merren me të”, duke shtuar se ai do të arrestohej “pa dyshim”.
“Më kanë keqtrajtuar djalin, do të më arrestojnë… Do të shohim kush kë dëshiron të arrestojë dhe si do të duket”, tha Vuçiq, në përgjigje të kësaj deklarate, duke vazhduar me një ton ironik.
“Është një mëkat i tmerrshëm kur dikush dëshiron të shkojë në shenjtëroren e tij, në liturgji dhe të flasë me njerëzit e tij. Kjo është arsyeja e vërtetë e arrestimit dhe flet për natyrën e tyre demokratike dhe për ata që i mbështesin. Por mirë, në fund do të shohim kush kë do ta arrestojë. …populli ynë thotë – kush qesh i fundit, qesh më mirë”, tha presidenti serb./FolDrejt/