Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq tha të dielën se situata më e vështirë në lidhje me Kosovën nuk ka ardhur ende, sepse kryeministri i Kosovës Albin Kurti ëndërron të bëhet si presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, raporton AA, përcjell Fol Drejt.
Sipas Vuçiqit, diçka që Serbia nuk e ka parë deri më tani dhe nuk mund ta ëndërronte do të ndodhë në Kosovë.
“Dhe gjithçka falë veprimeve provokuese dhe sjelljes tmerrësisht të papërgjegjshme të (kryeministrit të Kosovës) Albin Kurti. Kam frikë nga pasiguria e përgjithshme dhe paqëndrueshmëria. Kam frikë edhe nga konfliktet e mëdha sepse e di që serbët nuk mund ta tolerojnë këtë, dhe e di që ky tjetri që shkaktoi gjithçka, nuk dëshiron të tërhiqet sepse dëshiron dhe ëndërron të jetë një Zelensky”, tha Vuçiq në TV serb Pink.
Tensionet u rritën mes Beogradit dhe Prishtinës të premten pasi policia në Kosovë u përlesh me serbët lokalë të cilët u mblodhën para ndërtesës së komunës për të bllokuar hyrjen në zyrën e kryetarit të sapozgjedhur shqiptar etnik.
Policia me pajisje kundër trazirave u vendos përreth objektit, së bashku me Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë dhe personelin e Forcave të NATO-s në Kosovë.
Sipas raportimeve të mediave, granatat trullosëse dhe gazi lotsjellës plagosën të paktën 10 persona pasi një automjeti i policisë iu vu zjarri dhe u dëgjuan të shtëna me armë automatike.
Serbia urdhëroi ushtrinë e saj të premten të përparonte në kufirin me Kosovën dhe i kërkoi NATO-s të ndalonte dhunën kundër serbëve vendas në Kosovë.
Presidenti serb Aleksandër Vuçiq i bëri thirrje ushtrisë dhe forcave të sigurisë që të jenë gati luftarake.
Serbët e Kosovës të shtunën i bënë thirrje Vuçiqit që të pezullojë procesin e dialogut në vazhdim për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, pavarësinë e së cilës në vitin 2008, Serbia fqinje nuk e ka njohur kurrë. /FolDrejt/