Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, shpalli të dielën, pas dy vrasjeve masive në vend, një ulje deri në 90 për qind të armëve të lëshuara ligjërisht dhe theksoi se duke filluar nga e hëna, MPB bën thirrje njëmujore drejtuar qytetarëve për dorëzim të armëve dhe municioneve pa leje.
Në shkollën fillore të Beogradit “Vladislav Ribnikar” të mërkurën, më 3 maj, një nxënës 13 vjeçar vrau me armën e babait të tij tetë shokë të shkollës së tij dhe një roje, dhe plagosi gjashtë nxënës të tjerë dhe një mësues, ndërsa vetëm një ditë më vonë, një djalë 21-vjeçar qëlloi me automatik dhe pistoletë, vrau tetë persona dhe plagosi 14 të tjerë në tre fshatra në komunën e Mlladenovacit.
“Është një tragjedi e tmerrshme dhe një trishtim i madh që ndjejnë familjet dhe të gjithë në vendin tonë”, tha Vuçiq në mbrëmjen e RTS-së, me vlerësimin se vendi duhet të dalë nga këto tragjedi të mëdha.
Ai theksoi se shteti ka paraparë “masa të ashpra që do ta ndryshojnë rrënjësisht shoqërinë”, duke kujtuar se nga e hëna vlen ftesa e MPB-së për të gjithë qytetarët që të dorëzojnë armët dhe municionin që posedojnë ilegalisht, pa asnjë pasojë.
Në Serbi, sipas të dhënave të Shoqatës Kombëtare të Armëve, më shumë se 900 mijë copë armë të ndryshme mbahen në posedime private – nga pistoletat e deri te armët e gjuetisë, njoftuan mediat më herët në lidhje me të shtënat tragjike në shkollë.
Sipas të dhënave të projektit hulumtues zviceran Small Arms Survey nga viti 2018, vlerësimet janë se Serbia së bashku me Malin e Zi renditet e treta në botë për nga numri i armëve për 100 banorë.
Hulumtimi tregon se SHBA-të janë në vendin e parë me rreth 390 milionë armë. Jemeni është në vendin e dytë, transmeton Fol Drejt.