I pari i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u ka shprehur mirënjohjen dy zyrtarëve policorë të suspenduar nga pozitat policore në Mitrovicën e Veriut.
Siç shkruan gazeta serbe n1info, Nenad Gjuriq, që mbante pozitën e drejtorit të Policisë në Mitrovicën e Veriut dhe Aleksandar Filipoviq që ishte shef i Drejtorisë Rajonale Policore të Mitrovicës së Veriut, janë nderuar me çmime nga presidenti Vuçiq.
Gjuriq u dekorua me Urdhrin e Meritës për Mbrojtje dhe Siguri të Klasit të Parë, i cili jepet për kryerje mbi mesataren, shembullore dhe me nder të detyrave në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Kapiten Filipoviqit mori medaljen e artë për guxim “Miloš Obiliq”, e cila ndahet për veprimet në të cilat del në pah guximi personal.
“Ju iu bindët vendit tuaj, madje edhe kur nuk jeni pajtuar me vendimet e tij, keni bërë atë që ju ka dashur zemra dhe jeni sjellë me nder, kur ju penguan të kryeni detyrën”, është shprehur presidenti Vuçiq, duke bërë me dije se dy zyrtarët do të punësohen në administratën serbe.
Ata i pret një e ardhme e shkëlqyer, do të punojnë në organet shtetërore të Republikës së Serbisë. Na mbetet të arrijmë marrëveshje dhe sigurisht që nuk do të ketë të ardhura të ulëta. Të dy janë të rinj, ka ende shumë punë dhe detyra të rëndësishme përpara tyre”, ka thënë tutje ai./FolDrejt/