Nga foltorja e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Aleksandar Vuçiq i kritikoi ashpër vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës duke e shkelur siç tha, tërësinë tokësore të Serbisë.
Megjithatë, presidenti serb u përpoq të fashiste frikat e një konflikti të mundshëm në Ballkan, duke e bërë të qartë se rajoni nuk do ta përballonte dot një luftë tjetër. Vuçiq theksoi se Serbia do të vijojë të kërkojë kompromis me Kosovën, dhe hodhi poshtë zërat se vendi i tij përbën një kërcënim për fqinjët.
“Është një proces i vështirë, ka më shumë se dhjetë vjet që po vazhdon, por nuk shohim alternativë. Është më mirë të negociojmë njëqind vjet sesa të luftojmë një ditë. Jam i bindur se do të arrijmë një zgjidhje reciprokisht të pranueshme, e bazuar në kompromis, sepse kjo është absolutisht e vetmja mënyrë për të arritur qëllimin tonë, që është vendosja e paqes afatgjatë, si parakusht për një jetë të begatë për serbët dhe shqiptarët në rajonin tonë. Ne tashmë i kemi shteruar të gjitha mundësitë tjera dhe, të paktën për sa i përket Serbisë, nuk ëndërrojmë të kthehemi në shtigjet e konfliktit dhe gjakderdhjes. Rajoni i Ballkanit nuk mund të përballojë një konflikt tjetër”, tha Vuçiq.
Sipas presidentit serb, Beogradi po përballet me luftë hibride dhe fushata “të ndyra” që duan ta paraqesin Serbinë si kërcënim për qëndrueshmërinë rajonale si dhe për faktin që Serbia “vlerëson se politika e sanksioneve kundër Federatës Ruse askujt nuk mund t’i sjellë rezultate”.
Serbia është i vetmi vend evropian që nuk u është bashkuar sanksioneve kundër Rusisë pas agresionit të saj në Ukrainë.
Vuçiq shtriu dorën e paqes duke i mëshuar idesë se popujt e Ballkanit kanë kapacitet për të vazhduar bashkëjetesën në të ardhmen si miq dhe partnerë që kanë një vizion të përbashkët për anëtarësim në një Europë të bashkuar, dhe si shembull ilustrues përmendi faktin se “Serbia dhe Shqipëria, sot kanë marrëdhëniet më të afërta dhe më miqësore në historinë e tyre të përbashkët shekullore në Gadishullin Ballkanik./tch/