Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se më 29 qershor do të mbajë një video-konferencë me kryeministrat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, për, siç tha, përmirësimin e marrëdhënieve brenda iniciativës rajonale të mini-Shengenit.
Mini-Shengeni është një nismë e përbashkët e Vuçiqit, kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe atij të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, e ndërmarrë me qëllim të përmirësimit të zhvillimit ekonomik dhe bashkëpunimit rajonal.
Kosova ka refuzuar të marrë pjesë në këtë iniciativë.
Megjithatë, në marrëveshjen për normalizimin ekonomik me Serbinë, të nënshkruar nga ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, më 4 shtator, 2020, në Uashington, njëra nga pikat parasheh edhe bashkëpunimin e Kosovës në kuadër të mini-Shengenit.