Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq i është drejtuar opinionit serb nëpërmjet llogarisë së tij të Instagramit, pas kthimit nga Brukseli, duke paralajmëruar një fjalim në ditën e sotme, shkruan Fol Drejt.
Sipas Danas, Vuçiq ka paralajmëruar se në mbrëmje ai do të shpjegojë se çfarë ka ndodhur gjatë ditës së djeshme.
“Të dashur qytetarë të Serbisë, faleminderit për kujdesin dhe mbështetjen tuaj gjatë një dite të vështirë siç ishte ajo e djeshmja. Arritëm në Beograd në orët e hershme të mëngjesit dhe tani po analizoj se çfarë ka ndodhur. Ne kemi luftuar aq sa ishte e mundur në kushte të vështira, kemi luftuar për të ardhmen e Serbisë në paqe, për vazhdimin e investimeve në vendin tonë” – ka thënë ndër të tjera Vuçiq.
Siç ka bërë të ditur ai, “mediat manjate, por edhe RTS dhe Tanjug” përhapin gënjeshtra për të, ndaj sonte në orën 21 do t’iu drejtohet qytetarëve për të shpjeguar se çfarë ka ndodhur në Bruksel.
“Sonte po i përgjigjem të gjithë manipuluesve politikë dhe mediatikë që do të shkelnin vendin e tyre për një thërrime pushteti. Serbia nuk ka çmim, kjo është diçka që ata nuk e kuptuan kurrë. Ne do t’i mundim ata. Serbia do të fitojë!”, ka thënë Vuçiq.
Dje në Bruksel, pas një takimi maratonik, palët u pajtuan përfundimisht për planin franko-gjerman, ndërsa tani procesi i bisedimeve do të shkojë drejt zbatimit të tij në terren./FolDrejt/