Formimi i Bashkësisë së Komunave Serbe është parakusht për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe për sigurinë dhe mbrojtjen e të drejtave të popullit serb në Kosovë, ka përsëritur presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në një bisedë me Përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, shkruan Danas, përcjell Fol Drejt.
Sipas njoftimit, Vuçiq ka diskutuar me Lajçakun propozimin evropian, formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe dhe hapat e tjerë të nevojshëm për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve.
Presidenti Vuçiq, siç shtohet, theksoi se Serbia është duke punuar me përgjegjësi dhe është e përkushtuar për të negociuar me qëllim të arritjes së kompromisit dhe zgjidhjeve të qëndrueshme të nevojshme për një jetë normale dhe një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët, me kufizime të përcaktuara qartë.
Siç është paralajmëruar, Lajçak sot dhe nesër do të jetë në Beograd.
Paraprakisht ai ishte në Prishtinë të enjten dhe të premten, ku deklaroi se qëllimi i vizitës së tij ishte mbledhja e informacioneve se si Beogradi dhe Prishtina e shohin procesin e zbatimit.
Presidenti Aleksandër Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, konfirmuan se do të takohen në Ohër më 18 mars në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE. /FolDrejt/