Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se sot do të shkojë në Bruksel për të biseduar me përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.
Vuçiq tha për RTS se nuk ka çfarë të diskutojë me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti.
“Biseda me të nuk ka kuptim, ai na jep leksione për filozofinë, për Enver Hoxhen, pak për Demaçin, pak për Marksin dhe kaq”.
“Gjërat tjera kanë të bëjnë me persekutimin e serbëve dhe ligjëratat për çështjet e brendshme politike në Serbinë qendrore”, tha Vuçiq.
Ai tha se “gjërat janë shumë më serioze dhe se vendi është në një situatë të vështirë dhe nën presion të madh”.
“Duhet të vazhdoni të flisni, ne do të shkojmë në Bruksel për të biseduar me Borrellin dhe vetëm shikoni deklaratat e Escobar-it dhe do të shihni se në çfarë pozicioni ndodhet Serbia”, tha presidenti.
Kujtojmë se përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, ka bërë të ditur se ka ftuar kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në një takim në Bruksel.
Borrell shkroi në Twitter se i ftoi ata në një takim urgjent për të gjetur një zgjidhje dhe një rrugëdalje nga kriza aktuale.
Ai tha se të gjithë kanë nevojë për deeskalim urgjent, transmeton Fol Drejt.