Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq i tha sot misionit të sundimit të ligjit EULEX dhe komunitetit ndërkombëtar, duke iu referuar Kosovës, që të zgjidhin problemin me “fëmijën e tyre” dhe ta informojnë kur të kenë mbaruar punën e tyre, shkruan AA.
Gjatë fjalimit të tij drejtuar kombit, Vuçiq tha se sipas raportit të EULEX-it në të cilin ai kishte qasje, EULEX-i “nuk e di se ku është e majta” dhe se detyra e tij e vetme është të mbrojë shtetësinë e Kosovës dhe se nuk kujdeset “për serbët e rrahur dhe të torturuar”.
Ai e quajti “të pakuptimtë” dialogun e krizës në Bruksel, në të cilin përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikën e jashtme dhe të sigurisë, Josep Borrell, e ftoi atë dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, javën e ardhshme.
Vuçiq tha se “nuk ka ku dhe asgjë më shumë për t’u dorëzuar”, duke shtuar se vendimi nëse ai do të paraqitet “teknikisht” në dialogun në Bruksel ende nuk është marrë dhe se do të jetë një “vendim taktik” i Serbisë.
“Dialogu me Kurtin është dialog inekzistent. Ai njeri do luftë, ai do luftë me çdo kusht. Ai vetëm mendon se si të prodhojë një provokim të ri, e bën çdo ditë dhe ka mbrojtje. Gënjejnë kur thonë se nuk ka mbrojtje”, tha Vuçiq.
Duke folur për Kurtin, Vuçiq tha se ishte “krejt e kotë të flisje me një njeri që nuk donte të fliste kurrë” dhe theksoi se “nuk i shkon mendja” të flasë derisa serbët e arrestuar të lirohen nga paraburgimi dhe derisa Kosova të tërheqë “dispozitat e pakuptimta” për ndalimin e hyrjes së kamionëve serbë me mallra në territorin e Kosovës.
Ai shtoi se “Kurti me mbështetjen e disa vendeve perëndimore, po krijon një situatë kriminale në të cilën keqtrajton të gjithë qytetarët e nacionalitetit serb”.
Duke iu referuar kryetarëve të sapozgjedhur të komunave në veri të Kosovës, Vuçiq tha se “Kurti sjell disa njerëz që nuk kanë asnjë legjitimitet dhe mbështetjen e gazetarëve të tyre për të provokuar edhe më shumë njerëzit”.
Vuçiq tha se nuk do të lejojë që “njerëzit në veri të Kosovës të mbeten të uritur”, sepse kamionët do të shkojnë atje “në një moment, tani, pas një ose dy muajsh”.
Presidenti serb tha se bisedimet janë të kota derisa të tërhiqen “kryetarët e rremë” nga veriu i Kosovës dhe derisa forcat speciale të policisë së Kosovës të tërhiqen nga komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Vuçiq ka thënë se “askush nuk i ka prekur tre pjesëtarët e Policisë së Kosovës që janë arrestuar nga policia serbe të mërkurën” dhe ka theksuar se “ata hanë e pinë si në restorant”.
Ai tha se Serbia nuk do të informojë më askënd për hapat e saj, përveç në rastin e ngritjes dhe uljes së gatishmërisë luftarake të Forcave të Armatosura serbe, “përveç detyrimeve ndaj NATO-s, të cilat Serbia do t’i përmbushë gjithmonë plotësisht”, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.