Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se vendimi i serbëve për të dalë nga institucionet e Kosovës është historik dhe se ishte skeptik për këtë çështje, por se shumica e serbëve në Kosovë janë pro dhe se janë të kënaqur me këtë hap.
Në një intervistë për TV Pink, duke folur për ngjarjet që i kanë paraprirë daljes së serbëve nga institucionet e Kosovës, Vuçiq ka thënë se natën mes 29 dhe 30 qershorit ka parandaluar një “gjakderdhje të paparë” në veri të Kosovës, sepse serbët kishin ngritur barrikada, kurse pjesëtarët e njësive speciale të policisë së Kosovës ishin urdhëruar t’i rrënojnë ato, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Ai tha se pas 11 orë bisedë me serbët e veriut të Kosovës, ata i kanë thënë se do t’i heqin barrikadat sepse ai i ka “lutur” dhe ka vlerësuar se “në Prishtinë nuk ka fund çmenduria” e mbështetur nga “dy fuqi të mëdha”.
Vuçiq theksoi se ajo që i “detyroi” serbët të largohen nga institucionet e Kosovës ishte konfirmimi se asociacioni i komunave serbe nuk do të formohet, njoftimi për riregjistrimin nga targat serbe në ato të Kosovës dhe ndërrimi i drejtorit të policisë së Kosovës në rajonin e veriut, Nenad Gjuriq.
Duke folur për njoftimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se veturat që nuk kanë targa të Kosovës do të konfiskohen, Vuçiq tha se vendet e Kuintit po “mashtrojnë opinionin” se autoritetet e Prishtinës kanë të drejtë ta bëjnë këtë.
“Ata nuk kanë kurrëfarë të drejte t’i marrin targat dhe veturat serbëve. Anëtarët e Kuintit nuk e kuptojnë dallimin mes targave RKS dhe KS. Kosova nuk është shtet”, tha Vuçiq.
Vuçiq vlerësoi se situata në Kosovë do të qetësohet nëse amerikanët janë “të drejtë dhe korrektë, që KFOR-i dhe EULEX-i të kryejnë punën policore në veri të Kosovës”.
Ai shprehu frikën se gjërat do të shkojnë drejt fatkeqësisë nëse shqiptarët fillojnë të bëjnë punë policore në veri të Kosovës.
Vuçiq paralajmëroi se nuk ka “hap B” të radhës për Serbinë dhe serbët në Kosovë dhe shtoi se iu lut gjyqtarëve dhe prokurorëve që të mos largohen menjëherë nga institucionet e Kosovës.
Duke folur për policët serbë që dolën nga policia e Kosovës, Vuçiq tha se nuk e kanë pasur të lehtë të heqin uniformat, por se nuk kanë duruar më dhe se është një “vendim autonom dhe autokton” i serbëve.
Vuçiq ka thënë se Prishtina mund të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme, por ka theksuar se NATO-ja mund t’i parandalojë dhe se shpreson që ta bëjnë këtë.
Ai tha se nuk mendon se amerikanët kanë nevojë për një konflikt në Kosovë, se nuk kanë arsye për këtë dhe se janë shumë më korrektë se disa vende evropiane.
Ai vlerësoi se SHBA-ja do të jetë gjithmonë në anën e “djaloshit të saj 14-vjeçar” Kosovës, dhe se do ta ruajë dhe mbrojë atë, por se amerikanët dinë të thonë “kur djaloshi mendon të godasë fqinjin nga pika e qejfit”, se fqinji nuk është gjithmonë fajtor.
Vuçiq tha se disa në Perëndim thonë se “nuk e duan një Republika Srpska në Kosovë” dhe pyeti nëse nuk u pëlqen Republika Srpska.
“Pse e urreni Republikën Srpska? Sepse i urreni serbët. Ju nuk e urreni edhe atë që keni krijuar në Dejton. Ata mendojnë se për shkak se janë të mëdhenj dhe të fuqishëm, mund të bëjnë çka të duan me ne. Kur të na futni në skutë, atëherë nuk mundeni të bëni çka të doni me ne”, tha Vuçiq./FolDrejt/