Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është ankuar se zhvillimet mes Rusisë e Ukrainës, e kanë plakur “shpejt e keq”.
“Këto ditë për mua janë ankth, më të rëndat në karrierën time. Kam biseduar me liderë botërorë e evropianë dhe e kam ndjerë barrën e madhe të kritikave, vërejtjeve e presioneve. Këtë s’e kam përjetuar as më 2013 në Bruksel. Ju e keni ditën 24 orë, unë sikur një vit. Më shumë jam plakur për këto tri ditë sesa që jam plakur në 10 vitet e fundit. Ne e kemi pozicionin tonë, të cilin do e ruajmë si të mundemi e aq gjatë sa mundemi”, tha Vuçiq.
Serbia nuk i vendosi sanksione aleatit të saj të madh, Rusisë, e cila nga 24 shkurti nisi pushtimin e fqinjit të saj, Ukrainës.
Kryetari në Beograd reagoi edhe për paralajmërimet se Kosova do të mund të pranohej në NATO.
“Ideja e anëtarësimit në NATO nuk është e shqiptarëve të Kosovës, por e lobistëve të tyre dhe disa liderëve të fuqishëm amerikanë e evropianë. Me këtë duan t’i shtyjnë katër vende anëtare të BE-së e të NATO-s që janë mos njohëse ta pranojnë pavarësinë e Kosovës. Është tentim që të na vendosin para aktit të kryer dhe të na thotë tash vetëm ju keni mbetur pa e pranuar pavarësinë e Kosovës. Nuk keni rrugëdalje tjetër”, tha Vuçiq, të hënën nga Kragujevci.