Aleksandar Vuçiq i ka komentuar lajmet që flasin për ambiciet e Serbisë në raport me Kosovën si dhe raportet diplomatike me vendet që e kanë njohur republikën tonë, shkruan Fol Drejt.
Presidenti i Serbisë së fundi ka thënë se vendi i tij u lëndua nga njohja e Izraelit, pavarësisht asaj se, ata vijojnë ta çmojnë miqësinë me këtë shtet.
“Njohja e pavarësisë së Kosovës nga Izraeli na ka lënduar shumë” – tha ai, duke shtuar se “ne bëmë të pamundurën për ta kapërcyer atë situatë. Dhe shpresoj se do të jemi në gjendje të rindërtojmë marrëdhëniet tona me mirëbesim dhe se do të jemi në gjendje të krijojmë besim të vërtetë midis dy kombeve”, është shprehur ai për The Jerusalem Post.
Por vëmendje ka marr deklarata që flet për pretendimet ushtarake të Serbisë ndaj Kosovës:
“Thjeshtë bëjeni një kërkim në Google, dhe ju do të shihni se në së paku gjashtë muajt e fundit ata po thonin se Serbia do ta sulmojë territorin e një vendi fqinj. Por, faktikisht një gjë e tillë s’ka ndodhur. A ka kërkuar dikush falje për këto fabrikime? Jo. Është një fushatë e pafund dhe e vazhdueshme kundër këtij vendi me të njëjtin model ose të njëjtën qasje si 10, 20 apo 30 vjet më parë”, është shprehur ai.
Vuçiq nuk e ka lëshuar rastin për t’i thumbuar kroatët, të cilët i ka akuzuar se kanë bashkëpunuar me nazistët.
“Gjatë Luftës së Dytë Botërore… Kroatët iu bashkuan nazistëve që në fillim”, tha Vuçiç për The Jerusalem Post në një intervistë ekskluzive për Zoom.
“Ndërsa nazistët bombarduan Beogradin, në Zagreb kur hynë, u përshëndetën nga njerëzit dhe formuan shtetin e ri kukull nazist, një shtet të pavarur të Kroacisë, i cili përfshinte një Bosnjë dhe Hercegovinë të tërë dhe pjesë të mëdha të Serbisë së sotme. Detyra kryesore për ta ishte të shfarosnin të gjithë serbët” – tha ai./FolDrejt/