Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka marrë pjesë në Forumin e Paqes në Paris, ku ishte pjesëmarrës edhe Kryeministri Kurti.
Vuçiqi foli për një takim që u përfol mes tij dhe Kurtit.
Ai tha se një takim i tillë nuk është planifikuar, por se edhe nëse do të kishte nuk e di se “për çfarë do flisnin”.
“Nuk ka pasur nisma për takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Nuk di çfarë të flas. Ai zgjodhi se me cilët përfaqësues të Bosnjës dhe Hercegovinës do të takohej”, u tha gazetarëve Vuçiq, shkruan Danas.
Sipas tij, për të gjithë në Perëndim është e qartë se Kurti nuk dëshiron të formojë Asociacionin.
“Për ne do të jetë e rëndësishme të ruajmë jetën e serbëve në Kosovë. Nuk besoj se do të ketë ndonjë përparim, veçanërisht formimi i Asociacionit”, tha Vuçiq.
Ai sonte në Pallatin Elysee do të ketë një takim me presidentin francez Emmanuel Macron, me të cilin do të diskutojë për dialogun me Kosovës. Ndërkaq, ka ftuar edhe Macronin në vizitë në vendin e tij para fundit të vitit.