Aleksandar Vulin, kryetari i Lëvizjes Socialiste në Serbi, ka konsideruar se Shqipëria e Madhe do të ishte një kërcënim i paqes për Ballkanin, derisa në anën tjetër është shprehur se bota serbe mund ta ruajë këtë paqe.
“Shqipëria e Madhe është një kërcënim i madh për paqen në Ballkan dhe e vetmja gjë që mund të ruajë paqen është bota serbe. Serbët e bashkuar janë garantuesi që shqiptarët e bashkuar nuk do të përhapen në zonat ku ata nuk jetojnë. Procesi i bashkimit të shqiptarëve është i mundur vetëm nëse do të zgjidhej çështja kombëtare e serbëve”, është shprehur Vulin, raporton gazeta serbe Politika.
“Ballkani do të jetë i suksesshëm dhe paqësor nëse zgjidhet çështja kombëtare e popujve në Ballkan, prandaj bota serbe është kusht për mbijetesën e popullit serb dhe detyrë themelore e kësaj gjenerate të politikanëve serbë në të gjitha vendet e Ballkanit ku jetojnë serbët”, ka shtuar tutje Vulin./FolDrejt/