Ish-sulmuesi gjerman dhe eksperti i futbollit Sandro Wagner kërkoi falje të hënën për komentin e tij nënçmues gjatë një ndeshjeje të Kupës së Botës FIFA 2022, kur ai karakterizoi veshjen tradicionale të meshkujve të Katarit si “rroba-banje”.
“Kjo ishte një thënie e pamenduar me një koment të papërshtatshëm që do të ishte më mirë të mos e thosha. Nëse dikush është ndier i ofenduar, më falni, ky nuk ishte qëllimi im”, tha Wagner, 35 vjeç, i cili më parë ka luajtur për Hertha Berlin, Hoffenheim dhe Bayern Munich, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Gjatë ndeshjes së të dielës në Kupën e Botës FIFA 2022 mes Gjermanisë dhe Spanjës, Wagner tha: “Më parë mendova se i gjithë këndi (i stadiumit) ishte plot me tifozë gjermanë. Pastaj kuptova se ishin rroba banje të Katarit”.
Veshja në fjalë në fakt quhet “thawb”, një veshje tradicionale e bardhë me mëngë të gjata.
Ngjyra e fanellës së kombëtares gjermane është e bardhë, kështu që tifozët e saj shpesh veshin fanella të bardha në ndeshje.
Wagner shënoi pesë gola në tetë ndeshje ndërkombëtare për Gjermaninë përpara se të tërhiqej nga futbolli në 2020.
Ai ndihmoi Bayern Munich-un të fitonte tre tituj të Bundesligës gjermane.
Të dielën, Gjermania luajti barazi me Spanjën 1:1 në ndeshjen e Grupit E të Kupës së Botës në stadiumin Al-Bayt në qytetin Al-Khor të Katarit./FolDrejt/