Shtet e Bashkuara janë në kontakt të vazhdueshëm me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, përmes një telefoni të sigurt satelitor që SHBA-të i dhanë qeverisë ukrainase një muaj para se të ndodhte invazioni, kanë bërë të ditur zyrtarë amerikanë të mirëinformuar me këtë çështje, shkruan CNN.
Më herët komunikimet e sigurta mes ukrainasve dhe zyrtarëve amerikanë zhvilloheshin përmes ambasadës në Kiev, kanë njoftuar dy zyrtarë amerikanë, transmeton Telegrafi.
Kur Shtetet e Bashkuara po bëheshin gati për evakuimin e ambasadës dhe rritej frika për pushtimin rus që edhe po ndodh tani, SHBA-të dërguan një telefon që tani e përdor Zelensky.
Ky telefon i sigurt i mundëson Zelensky të jetë në kontakt të vazhdueshëm me Shtetet e Bashkuara. Madje Zelensky ka bërë të ditur se planifikon të qëndrojë në vendin e tij, dhe vazhdimisht është në lëvizje nëpër lokacione të ndryshme në Kiev – që kryesisht janë të mbrojtura nga një numër i madh i njerëzve të besueshëm, shkruan CNN.
Më herët, Zelensky realizonte video-mesazhe ku fliste për më të rejat – e një fjalim i tij u transmetua live në Parlamentin Evropian gjatë ditës së sotme.
Një telefon të ngjashëm satelitor, Shtetet e Bashkuara i kanë siguruar edhe ministrit të Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba. Ky telefon ka nevojë për energji elektrike, dhe mund të operoj nga gjeneratori apo bateria e një veture.
Në fillim u janë dashur disa ditë ukrainasve që të montojnë telefonin dhe të jetë operacional, pasi që instruksionet për përdorim ishin në gjuhën angleze dhe jo në atë ukrainase.