Kundër aktorit Smith kanë filluar procedurat disiplinore “për shkelje të Standardeve të Sjelljes së Akademisë”, thonë organizatorët e Oscar-it.
Aktorit Will Smith iu kërkua të largohej nga ceremonia e Oscar-it pasi ai goditi në fytyrë komedianin dhe prezantuesin Chris Rock, por ai refuzoi, thanë të mërkurën organizatorët e ceremonisë, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Gjatë transmetimit televiziv të Oscar-it të dielën mbrëma, pasi Rock bëri një shaka me gruan e Smith, aktoren Jada Pinkett Smith, Will Smith u ngjit në skenë dhe e goditi komedianin.
“Gjërat rrodhën në një mënyrë që nuk mund t’i kishim parashikuar”, thuhet në deklaratën e Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Filmit, cituar nga revista “Variety”. “Ndërsa ne dëshirojmë të sqarojmë se Smith-it iu kërkua të largohej nga ceremonia dhe ai refuzoi. Ne pranojmë se mund ta kishim zgjidhur situatën ndryshe”.
Kundër aktorit Smith kanë nisur procedurat disiplinore “për shkelje të Standardeve të Sjelljes së Akademisë, përfshirë kontaktin fizik të papërshtatshëm, sjelljen abuzive ose kërcënuese dhe komprometimin e integritetit të Akademisë”, thuhet në deklaratë.
Aktori i ri fitues i Oscar-it “do të njoftohet për votimin të paktën 15 ditë në lidhje me shkeljet dhe sanksionet e tij dhe mundësinë për t’u dëgjuar paraprakisht me anë të një përgjigjeje me shkrim”, thuhet në deklaratë.
Mbledhja e radhës e Bordit të guvernatorëve të akademisë është caktuar për 18 prill.
Akademia i kërkoi falje komedianit Rock “për atë që përjetuat në skenën tonë dhe ju falënderoj për qetësinë tuaj në atë moment”.
Më herët, Akademia e dënoi goditjen me shuplakë dhe tha se kishte nisur zyrtarisht shqyrtimin e incidentit.
– Shuplaka që u dëgjua në mbarë botën
Gjatë transmetimit, Rock iu drejtua Jada Pinkett Smith me fjalët “Jada, të dua. G.I. Jane 2, mezi pres ta shohë”, me sa duket ai iu referua flokëve të rruar mirë të Smith, duke e krahasuar atë me prerjen ushtarake të aktores Demi Moore në filmin G.I Jane të vitit 1997.
Jada vuan nga alopecia areata, një sëmundje që shfaqet kur sistemi imunitar i trupit sulmon folikulat e flokëve, duke shkaktuar rënie të flokëve.
Pasi pa reagimin e gruas së tij ndaj shakasë, Will Smith iu afrua skenës dhe e goditi Rock-un me shuplakë në fytyrë.
“Oh wow. Wow”, u përgjigj Rock i habitur. “Will Smith sapo më goditi”, tha ai.
Smith më pas i bërtiti Rock-ut dy herë, duke i thënë: “Mbaje emrin e gruas sime larg nga goja jote (me neveri)”.
Më vonë në të njëjtën ceremoni, Will Smith u nderua me Çmimin Oscar për aktorin më të mirë.
“Dhuna në të gjitha format e saj është helmuese dhe shkatërruese”, tha Smith të nesërmen në një deklaratë.
“Sjellja ime në ndarjen e çmimeve Oscar mbrëmë ishte e papranueshme dhe e pafalshme. Shakatë në kurrizin tim janë pjesë e punës, por një shaka për gjendjen mjekësore të Jada-s ishte e tepërt për mua dhe reagova emocionalisht. Dëshiroj të të kërkoj falje publike, Chris. Unë dola jashtë linjës dhe gabova. Jam i turpëruar dhe veprimet e mia nuk ishin tregues i burrit që dua të jem. Nuk ka vend për dhunë në një botë dashurie dhe mirësie”, tha Smith.
Incidenti nxiti një debat të gjerë publik mbi çështje të tilla si trajtimi i grave me ngjyrë me respekt dhe normaliteti gjithnjë e më i zakonshëm i dhunës që përdoret si mënyrë për të zgjidhur çështjet./FolDrejt/