Ambasadori William Walker sot u nderua me titullin “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë.
Pas këtij nderimi që iu bë ambasadorit Walker, në fjalën e tij, kryeministri i vendit, Albin Kurti, e cilësoi ambasadorin Walker si mikun më të mirë të kohërave të vështira të Kosovës, raportimi prej të cilit solli ndihmën e NATO-s.
“Në kohëra të vështira historike njësoj siç në periudha krizash personale një mik i mirë mund të jetë shpëtimi i nevojshëm madje edhe atëherë kur nuk e keni një mik të mirë janë kohërat e vështira që mund ta sjellin një të tillë. Në traditat tona një mik i mirë është një figurë shumë e rëndësishme dhe e respektuar e cila nderohet deri në paprekshmëri sipas kodeve tona zakonore shqiptare të mikpritjes që është vlerë e theksuar e jona”, tha kryeministri Kurti.
“Më 1998, Ambasadori William Walker erdhi në Kosovë në krye të komisionit verifikues të OSBE-së për të parë nëse forcat serbe po vepronin në përputhje të marrëveshjes së tetorit të Kombeve të Bashkuara për të tërhequr forcat e armatosura dhe për të zbatuar armëpushimin. Ky mision për Kosovën ishte lehtësisht i verifikueshëm nga veturat me ngjyrë portokalli me të cilat lëviznin të 700 anëtarët e këtij komisioni”.
“Në fillet e para të UÇK-së duke qenë jo shumë e njohur për qëllimet dhe tekniket e saj UÇK-ja ishte konsideruar si terroriste dhe ekstremiste. Dhe ishte pikërisht komisioni verifikues i OSBE-së që me raportime nga terreni për zhvillimet në Kosovë do të ndihmonte ndryshonte perceptimin ndërkombëtar mbi UÇK-në dhe do të siguronte ndihmë nga NATO-ja”, shtoi Kurti tutje./FolDrejt/