Sipas Wall Street Journal, zyrtarë të lartë të SHBA-së dhe BE-së besojnë se një mundësi për bisedime paqeje mund të shfaqet në javët ose muajt e ardhshëm pasi Ukraina të rimarrë me sukses qytetin jugor të Khersonit, shkruan The Kyiv Independent, përcjell Fol Drejt.
Megjithatë, nevoja për bisedime të tilla mbetet në pikëpyetje.
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan, tha se është “puna jonë t’i vendosim ata në pozicionin më të mirë në fushën e betejës” dhe ka një mundësi për diplomaci, “ata janë në pozicionin më të mirë në tryezën e bisedimeve”.
Dy diplomatë evropianë të paidentifikuar thanë se Sullivan rekomandoi që presidenti Zelensky dhe ekipi i tij të mendojnë për “kërkesat dhe prioritetet realiste për negociatat”, duke përfshirë rishqyrtimin e qëllimit për të rifituar gadishullin e Krimesë, të cilin Rusia e pushtoi ilegalisht në vitin 2014.
Përpjekjet për të sjellë Kievin dhe Moskën në tryezën e negociatave u nxitën gjithashtu nga frika e disa vendeve perëndimore se rezervat e tyre të armëve po shteroheshin me një “ritëm të paarsyeshëm”, raportoi Wall Street Journal. /FolDrejt/