Dybalan nuk e ka refuzuar vetëm Juventusi. Pas mungesës së akordit për rinovimin me bardhezinjtë që e detyron argjentinasin të lërë Torinon me parametër zero në verë, një tjetër derë i është mbyllur në fytyrë sulmuesit dhe bëhet fjalë për atë të Barcelonës.
Sipas “El Nazional”, Xavi ka vënë veton duke ia bërë të qartë klubit se Dybala nuk është njeriu i duhur për skuadrën dhe projektin e tij taktik, por jo vetëm kaq.
“Dybala është i mbivlerësuar”, mësohet të jetë shprehur tekniku katalanas duke e nxjerrë Barçën përfundimisht nga lista e klubeve të interesuara për të siguruar shërbimet e 28-vjeçarit.
Pavarësisht marrëdhënieve të shkëlqyera mes lojtarit dhe presidentit Laporta, për sa kohë të jetë trajner Ksavi, Barcelona nuk do të jetë destinacioni i ardhshëm i “La Joya”-s, edhe pse mund të ishte një operacion me leverdi për sa i përket raportit cilësikosto. Gjithsesi, të shumta janë klubet që janë në ndjekje të lojtarit në të gjitha kampionatet kryesore.
Interi në Itali ngelet favorit, kurse në Angli Chelsea, Tottenhami e Arsenali po monitorojnë situatën. E, për t’iu rikthyer përsëri Spanjës, aty nuk ka si të mungojë Atletiko Madridi dhe Diego Simeone, që është momentalisht konkurrenti më i madh i Interit për Dybalan.
Argjentinasi ka një raport shumë të ngushtë me bashkëkombësin e tij dhe Paulos nuk do t’i mungonte vlerësimi nga trajneri i spanjollëve, që e ka shprehur gjithmonë hapur këtë gjë.
E mes shumë pistave, Dybala nuk ka pse ngutet për të zgjedhur, ndërsa do të ketë kohë deri në fund të sezonit, por ato që nguten janë klubet, të cilat në kushtet kur futbollistit i lejohet të nënshkruajë në çdo moment një kontratë të re, duhet të djegin konkurrencën e njëra-tjetrës./FolDrejt/