Trajneri i Al Sadd, Xavi Hernandez, thotë se tani ndihet shumë i gatshëm për ta marrë drejtimin e skuadrës së Barcelonës, sic kishte parashikuar dikur i madhi Johan Cruyff.
Por ish-mesfushori katalonas e ka bërë të qartë se do ta dëshironte një fillim të freskët në Camp Nou, nëse emërohet trajner i Barçës.
“E kam të qartë se dua të rikthehem në Barcelonë, jam shumë i ngazëllyer”, tha Xavi në një intervistë për La Vangurdia.
“Mbase para pak vitesh kam mundur ta respektoja veten paksa, por tani kur e shoh veten duke e bërë detyrën e trajnerit, mendoj se mund t’iu ofroj shumë gjëra lojtarëve. Por ia kam bërë të qartë Barcelonës se veten e shoh në një projekt që nis prej zeros dhe në të cilin vendimet i marr unë”, zbuloi ai.
Vlen të theksohet se gjiganti katalonas e kontaktoi Xavin në janar, për të parë nëse ai ishte i gatshëm ta zëvendësonte Ernesto Valverden, por Xavi e kishte refuzuar ofertën, duke thënë se nuk ishte koha e duhur.
“Dua të punoj bashkë me njerëz të cilëve iu besoj, të cilët janë besnik dhe shumë të vlefshëm. Nuk bën të ketë njerëz toksik në dhomën e zhveshjes”, shtoi ai.
Duke folur për parashikimin e Cruyff se Xavi do të bëhej trajner i Barcelonës një ditë, ai zbuloi se legjenda holandeze e kishte këshilluar se si sillej kur të vinte dita.
“Ai më tha se Barcelona do të më kërkonte dhe më këshilloi. Nëse futbolli do të ishte fe, atëherë ai do të ishte zoti”, shtoi ai.