Trajneri Xavi ka komentuar humbjen e Barcelonës ndaj Almerias (0:1) në xhiron e 23-të të kampionatit spanjoll.
“Jam i zemëruar sepse luajtëm ndeshjen më të keqe të sezonit, veçanërisht në pjesën e parë. Duhet t’u kërkojmë falje tifozëve, dështuam plotësisht. Nuk e kuptoj se çfarë ndodhi në pjesën e parë. Ndoshta jemi të lodhur pas rënies nga Europa League”, tha Xavi.
Barcelona është në vendin e parë në La Liga me 59 pikë, shtatë më shumë se Real Madridi që është në vendin e dytë, e që barazoi (1:1) me Atletico Madrid në këtë xhiro.
“Ne bëmë gabime në pjesën e parë dhe kjo është arsyeja pse duhet t’u kërkojmë falje tifozëve. Duhet të jemi autokritikë. Ne kemi qenë të mirë në ligë deri më tani”, tha Xavi.
Xavi mori një karton të verdhë gjatë ndeshjes, i cili është i pesti i tij këtë sezon, ndaj nuk do të mund të udhëheqë skuadrën në raundin e ardhshëm kundër Valencias.
“Është gabimi im. Kam protestuar dhe nuk duhet ta bëja. Por për këtë janë kartonët e verdhë. Tani po e filloj nga e para”, deklaroi ai, transmeton Fol Drejt.