Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, ka komentuar tutje në lidhje me situatën në veri të Kosovës, duke vlerësuar se barrikadat nuk mbrojnë asnjë serb në Kosovë, përkundrazi ato minojnë të ardhmen e përbashkët të rajonit.
“Serbia duhet të ndalojë së mbështeturi me arsyetime të pajustifikueshme ngritjen e barrikadave në veri të Kosovës dhe më në fund të kuptojë se e ashtuquajtura “Kosovë&Metohi” ka ikur përgjithmonë! Barrikadat nuk mbrojnë asnjë serb në Kosovë, ato vetëm minojnë të ardhmen tonë të përbashkët”, ka shkruar Xhaçka në Twitter.
“Shqiptarët dhe serbët janë dy kombet më të mëdhenj të këtij rajoni dhe ata janë “dënuar” për të gjetur një rrugë të qëndrueshme drejt një të ardhmeje të përbashkët. Ne u bëjmë thirrje të dy liderëve të ulen dhe të bisedojnë dhe ne i bëjmë thirrje BE-së e SHBA-së që të insistojnë në të. Çdo gjë tjetër përveç dialogut është e dënuar të dështojë. Mjerisht”, ka shtuar ajo./FolDrejt/