Kryetari i komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, bashkë me anëtarë e struktura të Këshillit Drejtues të Iniciativës Qytetare, sot, në një ceremoni solemne, ku i pranishëm ishte edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, iu bashkua edhe zyrtarisht Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Abdixhiku, pasi i uroi mirëseardhje kryetarit Gashi dhe bashkëpunëtorëve të tij, tha se kjo është një ditë e veçantë, të cilën e cilësoi si një ditë të rritjes, bashkimit dhe të vënies së themeleve të qëndrueshme të LDK-së në Obiliq, njofton Klankosova.tv.
“Kjo ceremoni e sotme, në pjesëmarrje kaq masive, është vulë e fuqisë sonë politike, fuqi që buron nga bashkimi ynë ideologjik, nga nevoja për reforma të thella strukturore, si dhe nga vizioni që ndajmë për të ardhmen tonë politike, për Obiliqin e për Kosovën”.
Mes tjerash, Abdixhiku e vlerësoi lart figurën e Xhafer Gashit, për të cilin tha se është patriot i madh, kryetar i suksesshëm i komunës, luftëtar i Koshares dhe mik i heronjve Agim Ramadani e Sali Çekaj.
“Lidhja Demokratike e Kosovës është shtëpia jonë e përbashkët politike. Ta mbrojmë, ta ngremë, ta lartësojmë drejt triumfeve të reja që na presin përpara”, tha në fund të fjalës së tij kryetari Abdixhiku.
Ndërsa, Xhafer Gashi tha se ndihet i nderuar që bashkë me anëtarët e Këshillit Drejtues të Iniciativës Qytetare për Obiliqin, është bërë pjesë e LDK-së – partisë së themeluar nga Presidenti historik, Ibrahim Rugova.
“Reformat e ndërmarra dhe hapja e dyerve të partisë nga kryetari Abdixhiku kanë bërë të mundur që ne sot të jemi pjesë e LDK-së dhe të rrugëtojmë së bashku”, tha Gashi.