Brazili mposhti Zvicrën me rezultat 1:0, ndërsa golin e fitores e shënoi Casemiro në minutën e 83-të. Brazili me fitoren e dytë siguroi një vend në fazën e 16-të, ndërsa vendi i dytë do të vendoset në xhiron e fundit.
Granit Xhaka ka komentuar ndeshjen.
“Jemi të zhgënjyer, bëmë një lojë të mirë. Ne kishim shpirt ekipi, u mbrojtëm mirë dhe sigurisht është zhgënjyese kur pëson një gol vonë. E dinim se sa i mirë është Brazili, por nëse marrim gjërat pozitive që bëmë, mund ta mposhtim Serbinë”, tha Xhaka.
“Nëse mendoni se dikush mund të gjuajë 10 herë kundër Brazilit, më tregoni atë ekip. Brazili mund të bashkojë tre ekipe që kanë të njëjtën cilësi. E dinim që kishim një lojë ndryshe në krahasim me Kamerunin dhe se nuk do të kishim shumë raste për të shënuar.“
Ai iu referua ndeshjes me Serbinë, e cila do të jetë vendimtare.
“Serbia ka një cilësi të ndryshme në krahasim me Brazilin. Me Mitroviçin përpara, me më shumë depërtim në krah, dhe Brazili luan më shumë në tokë. Besoj se mund të fitojmë dhe shpresoj se mund ta bëjmë të premten”.
Ai ka komentuar edhe ndeshjen me Serbinë të zhvilluar në Rusi e cila ngjalli atëkohë shumë reagime.
“Nuk na intereson kundër kujt do të luajmë, në fund të fundit jemi profesionistë. Unë luaj kundër Kamerunit, Brazilit dhe Serbisë me të njëjtin entuziazëm. Historia nuk ka lidhje me ndeshjen – ata janë Serbia, ne jemi Zvicra. Edhe njëri edhe tjetri do të bëjmë më të mirën, ndaj le të fitojë më i miri” , përfundoi Xhaka, transmeton Fol Drejt.