E ndërtuar 733 vite më parë, 100 vjet para Betejës së Kosovës, Xhamia në Milkë të Dragashit konsiderohet si më e vjetra në Kosovë dhe Ballkan. Ajo mendohet se është ndërtuar nga një familje e ardhur nga Halepi i Sirisë në vitin 1289. Ky objekt aktualisht është në mbrojtje të përkohshme nga shteti.
Xhamia gjendet në fshatin Mlikë, rajoni i Gorës, komuna e Dragashit. Gjendet në lagjen “Oxhina” (“Halebak”), në rrugën kryesore të fshatit, me pjesën ballore të orientuar kah veriperëndimi. Në kuadër të xhamisë gjendet oborri me qasje në xhami, varreza, gërmadhat e tyrbes, shatërvani për abdes dhe një çezme e re në anën e jashtme të hyrjes së xhamisë. Xhamia është e rrethuar me shumë shtëpi të vjetra vernakulare të fshatit.
Sipas mbishkrimit që gjendet në fasadën e minares së xhamisë, xhaminë e rindërtoi Ahmet Aga në vitin 1238/1822, shekulli XIX. Në mbishkrim gjithashtu është i shënuar viti 688/1289, ku sipas supozimeve mendohet që është viti i themelimit të xhamisë, i ndërtuar nga një familje prej Halebi, Siri. Prandaj në bazë të argumenteve, Xhamia e Mlikës publikisht konsiderohet si xhamia e parë e ndërtuar në Kosovë dhe në rajon.
Ndërsa në bazë të gojëdhënave, xhamia rindërtohet përsëri prej themeli nga fshatarët, në vitin 1963, ndërkaq minarja në vitin 1968. Përforcimi i konstruksionit me shtyllat mbajtëse përreth xhamisë dhe zëvendësimi i kulmit me tjegulla të reja është realizuar pas vitit 2003.