Zhvendosja e sportistëve nga vendi i origjinës te ndonjë vend tjetër që i ofron më shumë kushte dhe aktivizimeve janë shumë të njohura në botën e sportit. Por tashmë kemi rast të kundërt, ku xhudistja Loriana Kuka, e rritur në Zvicër ka vendosur të përfaqësojë Kosovën në këtë sport luftarak, shkruan foldrejt.com.
Më konkretisht Loriana është mbesa e trajnerit kosovar të xhudosë, që po bën krenar gjithë shqiptarët. Ai ka stërvitur Majlinda Kelmendin, Nora Gjakovën, Distria Krasniqin, Akil Gjakovën që po rrëmbëjnë dhjetra medalja nëpër kompeticione ndërkombëtare.
Loriana fitoi medaljen e artë në Kampionatin Evropian U-23. Kjo e bëri shumë të lumtur trajnerin e Kosovës Driton Kuka.
“E veçantë kjo medalje për mua, për familjen Kuka, për vëllain tim Sylën, që e kam pas trajner dhe udhërrëfyes në jetë! Loriana la Zvicrën për Kosovën, erdhi para dy vitesh dhe u vendos në Pejë për të rritur paraqitjen, por edhe për ta përfaqësuar vendin e familjes së saj! Medalja e parë nga një Kampionat Evropian për dikë nga familja jonë! Shumë i lumtur për këtë medalje!”, ka shkruar Kuka në rrjetin social Fejsbuk.