Ish-lojtari i kombëtares së Bregut të Fildishtë, Yaya Toure, ka thënë se nuk beson që futbollisti i Parisit, Lionel Messi të kthehet në Barcelonë, raporton gazeta sportive spanjolle Marca.
Nga viti 2007 deri në vitin 2010, Toure luajti në Barcelonë së bashku me Messin. Tifozët e klubit katalanas kanë brohoritur emrin e futbollistit argjentinas gjatë ndeshjes së mbrëmshme të gjysmëfinales së Kupës së Mbretit me Realin (0:4).
“Do të befasohem nëse Messi kthehet në Barcelonë. Në futboll nuk e dini kurrë se çfarë mund të ndodhë. Gjithçka që ka bërë Messi në karrierën e tij është mbresëlënëse. Ai bëri gjithçka, përfshirë triumfin me Argjentinën në Botërorin e fundit. Nuk e di nëse ai do të qëndrojë në PSG ose do të kthehet në Barcelonë”, tha Toure, transmeton Fol Drejt.