Ish-lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri tha se kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka për qëllim ta zvarrisë dialogun.
Ai i tha se sjellja e pushtetarëve ndër vite ndaj këtij procesi, e ka sjellë Kosovën në stadin që mos ta marrë njohjen nga Serbia.
Sipas Ymerit, gabimi i Kosovës në këtë proces është narrativa se çka nuk pranojnë se sa ajo se çka duhet të arrihet. Këtë sipas tij e kanë bërë edhe pushtetet e kaluara.
Ymeri tash drejtues i Institutit për Politika Sociale “Musine Kokalari”, thotë se kryeministri Albin Kurti e ka për qëllim ta zvarrisë procesin.
Ai ka përmendur rastin e zgjedhjeve në veri dhe Udhëzimi Administrativ për largimin e kryetarëve në veri të vendit.
“Mua po më duket që për çdo ditë e më shumë po lexohet se po dëshiron ta zvarrisë procesin e dialogut, veçanërisht prej majit kur i kemi dërguar policinë në veri që u ballafaquan me protesta të dhunshme nga serbët, pra nga ai moment unë mendoj që Kosova shihet si zvarritëse me qëllim e procesit të dialogut dhe rrjedhimisht edhe sanksionet janë të tilla. E kemi rastin e zgjedhjeve. Tash edhe ky insistimi që me shkuar me peticion lexohet nga perëndimi si zvarritje”, thotë Ymeri për EO, teksa tregon edhe për gabimin e Kosovës në dialog me Serbinë.
“Është vështirë të flitet për shkak se ka shumë zhvillime brenda procesit të dialogut ë cilat nuk i di se nuk kanë qenë publike kurrë. Gabimi i Kosovës, veçanërisht kohëve të fundit edhe më parë ka qenë që jemi shkëput në procesin e dialogut më shumë duke treguar se çka nuk pranojmë se sa duke treguar se çka duam të arrijmë. Mendoj që insistimi i Kosovës duhet të jetë kjo që ‘unë dua njohjen nga Serbia dhe pastaj hajde shohim se cili do të mund të ishte kompromisi që e sjellë këtë njohje’, nëse mund të gjejmë një gjë të tillë. Ndoshta as kjo nuk arrihet por të shkosh në dialog se nuk e bëj Asociacionin, përfundon veç me të. Në vend se të shkosh dhe ta kërkosh njohjen”, thotë tutje Ymeri.
Teksa ka folur për dialogun me Serbinë, ish-kreu i VV-së thotë se situata është e dëmshme për Kosovën, pasi sipas tij kryeministri Kurti mund të shihet si jokredibil nga faktori ndërkombëtar. Këtë e bazon në ndryshimin e shpeshtë të deklaratave të Kurtit.
“Natyrisht që tash zbatimi i kësaj marrëveshjeje po të kishte përfunduar më herët, tash do të ishim në një situatë më të avancuar në procesin e dialogut dhe mbase edhe në përfundim të tij komplet sepse kjo ka qenë ideja prej vitit 2013. Ne e kemi një situatë në të cilën besoj që është e dëmshme për Kosovën pikërisht me faktin që kryeministri i Kosovës mund të shihet si jokredibil nga partnerët tanë ndërkombëtarë, për shkak të ndryshimit kaq të shpejtë dhe kaq të thellë e të shpeshtë të qëndrimeve karshi të njëjtës marrëveshje. Pra njëherë del e thotë ‘Zajdenicë të Thaçit’ nuk e zbatoj, tani del e thotë e zbatoj për njohjen de-facto, tani thotë njohjen de-facto e pastaj njohjen de-jure. E pastaj thotë se kjo megjithatë është zbatim i mirë, pastaj thotë se Vetëmenaxhimi nuk është Asociacion por është shpik diçka tjetër e pastaj thotë se Asociacioni është aty. Pra këto qëndrime të bën pastaj të paqëndrueshëm e jokredibil (Kurtin)”.
Ymeri ka shprehur habinë se përse nuk po zbatohet plani franko-gjerman, pasi aty është thënë se është njohja de-facto nga Serbia. Ai thotë se kjo marrëveshje rrezikohet duke u kapur për “teknikalitete procedurale”, raporton EO.
“Serbia e ka pozicion e vet, Kosova e ka pozicionin e vet, ndërmjetësit duhet me u mundu me i bë bashkë këto dyja dhe natyrisht se në secilën situatë ata do ta dëmtojnë secilën prej palëve me qëndrimet e veta për të arritur një mes të pranueshëm për të dyja palët. Tash a është e drejtë me fillu me Asociacionin ajo, nuk po hy andej e a është e drejtë me themeluar andej. Ne kemi disa çështje që po i adresojmë përmes procesit të dialogut dhe tashmë jemi dakorduar në nivel politik që secili prej kryeministrave që kjo është rruga përpara. Themelimi i Asociacionit, përfundimi i dialogut, avancimi i shtetësisë së Kosovës dhe me marrëveshjen e Brukselit që quhej plani franko-gjerman, zotëri Kurti si kryeministër na patë thënë që me këtë arrihet njohja de-facto dhe tash zbatimi i asaj marrëveshje po na thuhet është jetik për Kosovën. Dakord, pse nuk po fillojmë me zbatuar. Tash nëse ne në një marrëveshje qenka e mirë për Kosovën po e rrezikojmë duke u kapur për ‘teknikalitete procedurale’, kjo për mua nuk ka kuptim, përveç nëse e kemi një mosbesim absolut jo vetëm e Serbinë por edhe me ndërmjetësit që po garantojmë që do të zbatohet”, thotë Ymeri.