Bajrush Ymeri, nënkryetar i komunës së Novobërdës ka folur në emisionin Frontal në T7 pas tragjedisë që ndodhi sot në minierë.
Ymeri thotë se momentalisht është duke u punuar për nxjerrjen e trupave.
“Një ngjarje tragjike, po mundohemi me përballu, na ka tronditë shumë.
Punëtorët derisa ishin tu punu ka ndonjë një shembje e dheut, fatkeqësisht dy prej punëtorëve kanë humbur jetën, është një rast tragjik, po mundohemi bashkërisht të menaxhojmë situatën. Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe FSK’ja edhe ambulancës edhe ambulanca e minierës, pastaj edhe policia, po bëhen përpjekje që me çdo kusht që të depërtohet deri te vendi për t’i nxjerrë nga rrënojat”, ka thënë ai.
Sipas Ymerit, është një shkëmb i madh që ekipet e kërkimit po tentojnë ta heqin.
“Është një shkëmb i madh aty, po flas nga informatat e ekipes së minierës që kanë hy në vend të ngjarjes, e kanë pa që është e pamundshme momentalisht që të hiqet ai shkëmb. Tani do të hulumtojnë mundësinë cila është më e mira cila që të hiqet ai shkëmb edhe të largohen trupat”, thotë ai.
Nënkryetari Ymeri ka shtuar se në këtë minierë kushtet nuk janë të mira.
“Unë kam pas rastin kur e kanë pas një minierë me i vizitu, ishin kushtet jo edhe aq të mira.
Edhe sot gjatë vizitës së ministres, punëtorët ia shprehën pakënaqësitë e veta që nuk kanë kushte për punët që bëjnë çdo ditë”, ka thënë ai.