Duket se pas ndarjes mes ortodoksëve ukrainas dhe rusë, një dëshirë ka lindur edhe për malazezët dhe maqedonasit, të cilët kërkojnë njohjen e kishave të tyre nga Patriarkana e Stambollit dhe ndarjen e tyre nga ndikimi serb, informon foldrejt.com.
Për të vërtetuar këtë sot kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski, i shoqëruar nga kryetari i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM), Zoran Zaev si dhe nga drejtori i Komisionit për marrëdhënie mes bashkësive fetare, Darijan Sotirovski, kanë realizuar takim me Patriarkun Ekumenik Bartolomeu në selinë e Patriarkanës Ekumenike në Stamboll.
Siç njoftojnë nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, në mbledhjen e cila erdhi si rezultat i ftesës së Patrikanit Ekumenik për Zoran Zaev gjatë kohës që ai ishte kryeministër i Maqedonisë së Veriut, kryeministri Spasovski “uroi Patriarkun Bartolomeu për festën e Krishtlindjes, duke uruar shëndet, forcë, si dhe të vazhdojë në paqe dhe qetësi, si i pari ndër të barabartët në Kishën Ortodokse, të bashkojë të gjitha kishat simotra”.
Në kumtesën e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut theksohet se takimi është zhvilluar në “atmosferë të këndshme dhe në bisedën e përzemërt është theksuar shpresa që edhe këtë vit Patriarku Bartolomeu, në frymën e tolerancës dhe mirëkuptimit të vazhdojë dialogun për të gjetur zgjidhje për të gjitha çështjet me të cilat përballet bota ortodokse dhe besimtarët”.
“Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski, në atmosferën e përzemërt të takimit, ftoi Patriarkun Bartolomeu të vizitojë vendin dhe të takohet me besimtarët”, thuhet në kumtesën e qeverisë.
Mbase së shpejti do kemi edhe njohjen e Kishës Ortodokse Maqedonase nga Patriarkana e Stambollit./Foldrejt.com