Arbër Zaimi ka shkruar se gjashtë aeroplanë të mëdhenj Y-20A nga ushtria kineze çonin armë dje në Beograd.
Ai për këtë foli në një postim në Facebook, transmeton Fol Drejt.
Ky është postimi i plotë i Zaimit:
“Gjashtë aeroplanë të mëdhenj Y-20A nga ushtria kineze çonin armë dje në Beograd. Gjashtë të tjerë po shkojnë edhe sot. Bëhet fjalë për sisteme raketore tokë-ajër FK-3/HQ-22 që Kina po i dërgon në Serbi. Serbia është vendi i parë në kontinentin evropian që importon sisteme armatimi kineze.
Në javët e fundit në Kinë te revistat e doktrinës ushtarake shumë strategë e studiues kanë ngritur shqetësimin se teksa armatimi kinez është modern, ai është i pa-testuar në luftë reale, siç po testohen vazhdimisht armatimet amerikane, turke etj. A do t’ua japë Serbia shansin e testimit armëve kineze? Ndërsa sot ministri serb i punëve të jashtme, Nikolla Selakoviq foli në telefon me ministrin kinez Uang Ji, ku e garantoi për “miqësi të çeliktë” mes Serbisë dhe Kinës.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dje deklaroi se edhe dronët “Bajraktar” ua ka premtuar Turqia.
Ndërkohë me një votë në OKB, ku edhe ashtu shumica ishte e ditur paraprakisht se si do të votonte, pra me një votë të panevojshme, Serbia “bleu” fotografinë e ambasadorit të saj me presidentin amerikan, Bidenin. Ndërsa lavdërimet e kryeministrit të Shqipërisë, Ramës, Serbia në twitter i mori falas, si bonus i padëshiruar në supermarket.
Pse po armatoset kaq intensivisht Serbia? Do të na shpjegojë dot ndonjë gjë folk-realisti dhe turbo-postmodernisti Ed Rama në twitter a në fb?
Shqipëria është në KS të OKB dhe do të mund ta neutralizonte politikën e Serbisë atje, po të donte. Është për të ardhur keq që Serbia një votë të panevojshme në Asamble e shet kaq shtrenjt, ndërsa Shqipëria votën dhe prezencën e saj aq të rëndësishme në Këshill të Sigurimit e shet fare lirë, në mos po e jep falas.”/FolDrejt/