Nisma e Kievit për largimin e Moskës nga anëtarësimi i përhershëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe për përjashtimin e saj nga OKB-ja është ndërtuar mbi një “logjikë krejtësisht të çoroditur”, tha sot zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova.
“Sipas kësaj logjike, mund të nxirret përfundimi se të gjitha vendimet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik janë të paligjshme”, tha Zakharova në një konferencë për media në Moskë, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
“Logjika është krejtësisht e çoroditur. Pastaj, duke ndjekur këtë logjikë, mund të supozojmë se të gjitha vendimet që janë marrë në Këshillin e Sigurimit që nga momenti kur Bashkimi Sovjetik u shpërbë dhe Rusia me të drejtë zuri vendin e saj, janë të paligjshme nga ky këndvështrim i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës? Pra, nëse prania jonë atje është e paligjshme, atëherë vendimet janë të paligjshme?”, tha ajo.
Zakharova shtoi se “kjo është si të lexosh disa trillime” dhe “nuk ka të bëjë me ligjin ndërkombëtar, realitetin apo diplomacinë”.
Të hënën, Ministria e Jashtme e Ukrainës lëshoi një deklaratë zyrtare duke sugjeruar që Rusisë t’i hiqet statusi si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe të përjashtohet nga organizata ndërkombëtare.
Në lidhje me akuzat e Kievit se veprimet e Moskës në vijën e frontit bien në kundërshtim me thirrjet e saj për paqe, Zakharova rikujtoi se Ukraina në nivel legjislativ siguroi pamundësinë e bisedimeve me Rusinë.
Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba tha të hënën se Kievi dëshiron të mbajë një samit paqeje në platformën e OKB-së pa Moskën, sepse veprimet në vijën e frontit kundërshtojnë thirrjet e saj për paqe.
Më 4 tetor, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy nënshkroi një dekret, që ndalon çdo lloj bisede paqeje me Moskën për sa kohë që Vladimir Putin vazhdon të jetë president i Rusisë./FolDrejt/