REJKJAVIK – Diplomatët më të lartë nga administrata e Presidentit Biden dhe nga Rusia në takimin e tyre të parë të mërkurën theksuan se ish-vendet armike të Luftës së Ftohtë kanë dallime serioze në mënyrën se si i shikojnë çështjet botërore, por folën me një ton optimist për bisedimet, duke thënë se të dyja palët gjithsesi mund të gjejnë mënyra për të punuar së bashku.
Sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara Antony Blinken, në takimin e tij të parë me Ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov, një diplomat veteran, tha se nuk ishte “sekret që kemi mosmarrëveshjet tona” dhe se Uashingtoni do t’u përgjigjej akteve agresive nga Rusia, por se bota do të jetë më e sigurt nëse udhëheqësit e të dy vendeve punojnë së bashku.
Zoti Lavrov, duke folur përmes një përkthyesi në hapjen e takimit në Rejkjavik në periferi të një takimi të Këshillit Arktik, tha se Rusia dhe Shtetet e Bashkuara kanë “dallime serioze” por duhet të bashkëpunojnë “në sfera ku interesat tona afrohen”.
Sekretari Blinken tha se Presidenti Biden dëshironte “një marrëdhënie të parashikueshme, të qëndrueshme me Rusinë” dhe tha se të dy vendet mund të punojnë së bashku për të luftuar pandeminë e koronavirusit, për të luftuar ndryshimin e klimës, duke u marrë me programet bërthamore të Iranit dhe Koresë së Veriut dhe luftën në Afganistan.