Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se është zbuluar zonë naftëmbajtëse në zonën e Shpiragut të Qarkut të Beratit, raporton Anadolu, përcjell Fol Drejt.
Në një konferencë për mediat me zv/kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë të Shqipërisë, Belinda Balluku, Rama tha se ky zbulim që ai e konsideroi të rëndësishëm, mund të ketë një impakt historik në zhvillimin ekonomik, social, por “jo vetëm kaq, edhe në pozicionin gjeopolitik dhe gjeostrategjik të Shqipërisë”.
“Jemi në një fazë shumë të avancuar të një përpjekjeje që zgjat prej thuajse 10 vjetësh dhe në prag të testimit përfundimtar, i cili është i domosdoshëm për të vlerësuar qëndrueshmërinë e presionit të fluksit të gazit dhe të naftës që mund të nxirret nga nëntoka. Kjo do të thotë që rezerva është aty në 6.002 metra në thellësi të tokës. Është prekur rezerva, pas një eksplorimi shumë të vështirë për shkak të formacionit gjeologjik të zonës dhe një investimi masiv të bërë për shkak të thyerjes së përsëritur të sondave si rezultat i formacionit gjeologjik”, tha Rama, duke shtuar se nuk janë në kushtet kur mund të flasin për shifra konkrete.
Rama theksoi se nafta e zbuluar është e cilësisë më të lartë dhe sipas tij është hera e parë që kjo ndodh në Shqipëri, pasi siç tha ai, “burimet e naftës që janë zbuluar në të shkuarën dhe që janë shfrytëzuar dhe shfrytëzohen akoma janë burime të një nafte të rëndë”.
Kryeministri Rama theksoi se sipas analizave të bëra nga laboratori i Holandës, nafta e zbuluar në zonën e Shpiragut është një naftë e të njëjtës cilësi me naftën premium të Arabisë Saudite.
“Investimi i parashikuar dhe projekti që do të realizohet nis me 3 miliardë euro dhe projeksioni është që deri në përfundim të të gjithë infrastrukturës së nevojshme, pasi do të fillojë puna për një sërë shpimesh për të krijuar gjithë kompleksin e nevojshëm për nxjerrjen e kësaj pasurie, është 7 miliardë euro investime në vendin tonë. Një investim që parashikon ndërtimin e gjithë infrastrukturës dhe logjistikës për depozitimin e rezervës, ndarjen në gaz, në naftë dhe në sulfur”, u shpreh Rama.