Ministri i Drejtësisë i Brazilit, Anderson Torres, ka njoftuar se mbetje njerëzore janë gjetur në zonën ku po vazhdon kërkimi për një gazetar britanik dhe një ekspert indigjen.
Që nga fillimi i këtij muaji, askush nuk ka dëgjuar për gazetarin Dom Phillips dhe ekspertin Bruno Pereira, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
“Së fundmi, policia federale më informoi se mbetje njerëzore u gjetën në vendin e gërmimeve”, shkroi Torres në llogarinë e tij në Twitter.
Duke njoftuar se oficerët që po kryejnë hetimet do të mbajnë një konferencë për media, ai tha se mbetjet do t’i nënshtrohen analizës mjeko-ligjore.
Kreu i policisë federale në shtetin brazilian Amazonas, Eduaro Alexandre Fontes, Amarildo da Costa de Oliveira dhe vëllai i tij Oseney u arrestuan si të dyshuar për zhdukjen e Phillips dhe Pereira. Sipas kreut të policisë, Amarildo pranoi vrasjen e dy personave, gjë që çoi në zbulimin e mbetjeve.
Fontes në një konferencë për media tha se gjetjet tregojnë se Phillips dhe Pereira u vranë me armë zjarri, por shkaku i saktë i vdekjes do të përcaktohet në përputhje me hetimet.
Ai theksoi se bazuar në rrëfimin e Amarildo-s një i dyshuar i tretë mund të ketë qenë i përfshirë në vrasjet.
57-vjeçari Phillips, i cili punoi për gazetën britanike ‘The Guardian’ dhe udhëtoi në rajon për të shkruar një libër mbi popujt indigjenë në Amazon, si dhe 41-vjeçari Pereira, një ekspert në Fondacionin Kombëtar Indigjen të lidhur me qeverinë, janë zhdukur që nga 5 qershori./FolDrejt/