Tuma Aççana në qytetin turk Hatay, një ndër qytetet më të ndikuar nga tërmeti i 6 shkurtit, është gjetur një pllakë 3.800-vjeçare argjile me shkrim kunjor në gjuhën akadiane në të cilën jepet informacion mbi “kontratën e shitjes së qytetit”.
Tërmeti i 6 shkurtit me epiqendër në Kahramanmaraş ndikoi edhe tumën në rrethin Reyhanlı, ku gjatë periudhës së bronzit të mesëm dhe të vonshëm është gjendur kryeqyteti i Mbretërisë së Mukishit, Alalah.
Nën udhëheqjen e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit ka nisur puna restauruese dhe konservuese në tumë, ku disa pjesë të mureve të pallatit u dëmtuan pas tërmetit.
Punimet janë kryer nën kryesimin e shefit të Departamentit të Protohistorisë dhe Arkeologjisë së Lindjes së Afërt pranë Fakultetit të Arkeologjisë në Universitetin Hatay Mustafa Kemal, Doç. Dr. Murat Akar, në një ekip prej 25 personave.
Falë këtyre punimeve përveç mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, ofroi edhe qasje në gjetjet e reja që hedhin dritë mbi të kaluarën. Ekipi duke hequr rrënojat e murit si pjesë e studimit, gjeti pllakën argjile me shkrim kunjor.
Në hulumtimin e parë të bërë në pllakën në gjuhën akadiane, janë zbuluar informacionet e marrëveshjes që mbreti i parë i Alalah, Yarim-Lim ka bërë për të blerë një qytet.
– “Ishte emocionuese që e nxorëm të paprekur”
Doç. Dr. Akar, në deklaratën për Anadolu tha se në gërmimet e këtij sezoni në tumën Aççana i kanë kushtuar rëndësi punimeve të riparimit dhe mbrojtjes.
Ai informoi se pllaka 3.800-vjeçare ka një formë solide. “Ishte emocionuese nxjerrja e një pllake të paprekur, të paprishur nga rrënojat e disa mureve në tumë”, tha ai duke informuar se vepra daton në periudhën e bronzit të mesëm.
“Në këtë periudhë të identifikuar si Bronzi i Mesëm mund të shohim se mbretërit e rajonit kanë patur fuqi ekonomike. Ne hasim në shembuj befasues ku kjo pasqyrohet në dokumente të shkruara. Në këtë pllakë shohim se si mbreti i parë i Alalah, Yarim-Lim dëshiron të blejë një qytet tjetër dhe se me këtë rast bën marrëveshje. Kjo në fakt në tregon se mbretët e rajonit kanë poseduar fuqi dhe potencial ekonomik për të blerë një qytet tjetër”, theksoi Akar.
– Mbi vepër qëndrojnë edhe emrat e dëshmitarëve të marrëveshjes
Duke informuar më tej rreth pllakës, Akar tha se kjo pllakë do të kontribuojë në kuptimin e strukturës ekonomike të periudhës.
“Mbi vepër qëndrojnë edhe emrat e dëshmitarëve të marrëveshjes, me një përqindje të madhe emri i njerëzve të rëndësishëm të qytetit”, theksoi ai duke shtuar:
“Vepra si një shembull unik do të kontribuojë që të kuptojmë strukturën ekonomike, marrëdhënien mes qyteteve, modelin ekonomik dhe politik të periudhës”.
Ai shtoi se vepra pasi të hulumtohet do të dërgohet në muze.