Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) përmes një postimi në profilin zyrtar në Facebook, ka bërë të ditur se ka zbuluar plagjiaturë në hulumtimin e doktoratës së kandidatit për rektor Ilir Tolaj.
Sipas ORCA-s, doktorata “Sepsisi meningokoksik në Kosovë – Përvojat tona në përdorimin e terapisë adjuvante” e mbrojtur në vitin 2004 në Universitetin e Prishtinës nga kandidati Ilir Tolaj, pjesën e hyrjes, shqyrtimit të literaturës, dhe 99% të referencave i ka identike dhe të përkthyera nga një punim shkencor i vitit 2000 nga autorë të huaj.
“Ky disertacion i ka shërbyer profesorit Ilir Tolaj për ta marrë gradën doktor i shkencave, për t’u punësuar në Universitetin e Prishtinës dhe për të mbajtur titull akademik.
ORCA ka përgatitur një dosje me dëshmi të mjaftueshme për ta dokumentuar plagjiaturën e profesorit dhe kandidatit për rektor dhe sot i është drejtuar Këshillit të Etikës të UP-së, organ ky që është përgjegjës për verifikimin dhe ndëshkimin e shkeljeve të tilla të cilat cenojnë integritetin dhe ndershmërinë intelektuale të universitetit. Ne presim që ky organ ta shqyrtojë dokumentacionin e ofruar dhe të vërtetojë se profesori Ilir Tolaj ka kryer shkelje të rënda nga Kodi i Etikës, Statuti i UP-së dhe nga Rregullorja për masat dhe procedurat disiplinore ndaj personelit akademik të Universitetit të Prishtinës.”, shkruan kjo organizatë.
“Bazuar në të gjitha këto shkelje, ne presim që Këshilli i Etikës bazuar në kompetencat e përcaktuara në paragrafin 6 të nenit 2 të Rregullores për masat dhe procedurat disiplinore ndaj personelit akademik të Universitetit të Prishtinës të marrë këtë vendim duke shqiptuar:
- masën disiplinore sipas nenit 8, paragrafit 1, nën paragrafit 1.10: “ndërprerje të marrëdhënies së punës”;
- dhe masën disiplinore sipas nenit 8, Paragrafit 1, nënparagrafit 1.9: “revokim i gradës shkencore” të doktorit të shkencave.”, thuhet tutje./FolDrejt/