Pas zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës, ka ardhur edhe reagimi nga BE, e cila përmes zëdhënësit Peter Stano, ka bërë thirrje që të ulen tensionet, të shmanget përshkallëzimi e njëkohësisht ia ka rikujtuar Kosovës obligimin për ta themeluar Asociacionin.
Në një konferencë për media, Stano ka theksuar se tensionet Kosovë-Serbi mund të ndikojnë negativisht në gjithë rajonin.
“Prioriteti kryesor tani është depërshkallëzimi i situatës në teren. Ditët e fundit kemi parë rrezikun e një përshkallëzim më të madh të situatës, gjë që është duke i vënë në rrezik përpjekjet shumë vjeçare dhe të arriturat deri më tash. Kjo mund të ketë pasoja jo vetëm në Kosovë e Serbi por në gjithë rajonin. U bëjmë thirrje të dyja palëve që jenë në nivel të përgjegjësisë dhe të gjejnë zgjidhje evropiane”, ka thënë Stano.
“Është obligim i qartë për Kosovën që menjëherë të krijojë ose të ndërmarrë hapa për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ky është obligim ligjor i detyrueshëm i Kosovës dhe mospërmbushja e vazhdueshme jo vetëm që cenon parimin e sundimit të ligjit, por dëmton edhe reputacionin dhe besueshmërinë e Kosovës”, ka shtuar ai tutje.
Sipas tij, BE dëshiron që t’i afrojë Kosovën dhe Serbinë drejt një zgjidhjeje evropiane, t’i ulin tensionet dhe që sa më shpejt të përfshihen në dialog, duke e konsideruar dialogun si të vetmen rrugëdalje nga eskalimi momental./FolDrejt/