Zëdhënësi i qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu ka thënë sot se po presin publikimin e dekretit nga Presidenti Hashim Thaçi për mandatarin për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese për interpretim.
Kryeziu ka thënë se përderisa nuk po ndodhë publikimi i kërkesës për mandatarin për kryeministër ndaj LDK’së, nga ana e Presidentit Thaçi qeveria në detyrë do të vazhdojë punën e saj, raporton Gazeta Express.
“Jemi në pritje të këtij dekreti, përmbajtjen e këtij dekreti dhe referimi që bëhet nga Presidenti mbi hapat e tij drejt formimit të qeverisë dhe mbi këtë përmbajtje do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Kryeziu.
Kryeziu ka thënë se mospublikimi i këtij dekreti është shprehje e gatishmërisë për të bërë veprime që janë ndesh me kushtetutën.
“Ne kemi shprehur bindjen tonë dhe besojmë që interpetimi ynë është i drejt kur themi se veprimet e radhës të presidentit duhet të jenë ato që çojnë deri te shpallja e zgjedhjeve të parakohshme pasi që të kalojë pandemia dhe jo formimi i një qeverie të re”, ka thënë ai për Rtv Dukagjini.
Ai poashtu ka thënë se do të kërkojnë opinion edhe nga Komisioni i Venecias
“Për një kërkesë për opinion do t’i drejtohemi edhe Komisioni të Venecias, duke qenë të bindur që një opinion prej një institucioni të pavarur do të ndihmojë në sqarimin e kësaj situate kushtetuese por në të njejtën kohë do t’i shërbente edhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese ashtu që ai të jetë sa më i drejtë dhe sa më kredibil”, ka thënë zëdhënësi i qeverisë.