Besian Mustafa, zëdhënësi i ri i LDK-së dhe djali i Xhemal Mustafa, i vrarë paslufte në Kosovë, ka thënë se babain e tij e kanë vrarë ata që kanë dashur të marrin pushtetin, por ai nuk ka dashur të bëjë me gisht nga askush, duke thënë se një gjë të tillë do të duhej ta bënte Prokuroria.
Mustafa ka folur të enjten në “IMAZH” të RTK-së.
“Ajo ka qenë një vrasje politike. Babai ka qenë politikan, ai nuk ka qenë biznesmen. E vetmja arsye logjike që është vrarë është që dikush tjetër të vije në pushtet. Babain dhe shumë të tjerë i kanë vrarë ata që kanë dashur ta marrin pushtetin. Nuk dihet saktësisht se kush, ne si familje, si shoqëri kosovare po presim që njëzet vite për zbradhjen e rasteve”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se babai i tij, i ndjeri Xhemal Mustafa, ka qenë gazetar me profesion dhe se i ka shkuar për shtati funksioni i zëdhënësit të LDK-së, kurse ai vetë është economist dhe se për të është sfiduese që ta ketë atë pozicion. “Vazhdimisht e kam përcjellë LDK-në, programin e saj ekonomik. nga LDK-ja nuk jemi shkëputur asnjëherë, por perqëndrimi im ka qenë te aspekti ekonomik”, ka thënë Mustafa.
Mustafa ka thënë se LDK ka filluar të ketë më shumë ekonomi e më pak politikë.