Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se kishte një bisedë telefonike “të gjatë dhe kuptimplote” me presidentin kinez Xi Jinping dhe se shpreson se kjo do të forcojë marrëdhëniet e vendit të tij me Pekinin, raporton The Guardian.
“Kam pasur një bisedë të gjatë dhe të rëndësishme telefonike me presidentin Xi Jinping. Besoj se kjo thirrje, si dhe emërimi i ambasadorit të Ukrainës në Kinë, do t’i japë një shtysë të fortë zhvillimit të marrëdhënieve tona dypalëshe”, shkroi Zelensky në Twitter.
Zelensky nuk zbuloi detaje të tjera. Thirrja u konfirmua edhe nga zëdhënësja e qeverisë kineze. Kujtojmë se në shkurt, Pekini prezantoi një dokument me 12 pika që bën thirrje për një “zgjidhje politike” të krizës në Ukrainë, transmeton Fol Drejt.