Rreth 9 milionë njerëz në rajone të ndryshme të Ukrainës janë ende të shkëputur nga furnizimi me energji që nga 26 dhjetori, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në një fjalim të tij, shkruan The Kyiv Independent, përcjell Fol Drejt.
“Deri sonte, rreth 9 milionë njerëz po ballafaqohen me ndërprerje të energjisë elektrike në rajone të ndryshme të Ukrainës. Por numri dhe kohëzgjatja e ndërprerjeve po zvogëlohet gradualisht. Unë jam mirënjohës për çdo person që siguroi këtë rezultat,” tha ai.
Zelensky falënderoi gjithashtu të gjithë punonjësit e shërbimeve komunale që punuan në prag të Krishtlindjeve dhe ditën e Krishtlindjeve për të rikthyer energjinë te njerëzit në pjesë të ndryshme të vendit.
Ai tha gjithashtu se zyrtarët qeveritarë në sektorin e energjisë janë duke ndërmarrë hapa për të stabilizuar situatën në sektorin e energjisë.
“Sot mbajta një takim të veçantë me zyrtarë të qeverisë për situatën në sektorin e energjisë dhe infrastrukturës. Ne po përgatitemi për vitin e ardhshëm — dhe jo vetëm për muajt e dimrit. Ka kërcënime që duhen eliminuar. Ka hapa që duhen ndërmarrë. Dhe shteti do t’i bëjë patjetër”, tha ai. /FolDrejt/