Ukraina ka eksportuar mbi 1 milion ton produkte bujqësore përmes detit gjatë muajit të fundit, tha presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
“Nisma për eksportin e drithërave po funksionon për pothuajse një muaj dhe gjatë kësaj periudhe, nga tri portet tona detare është eksportuar 1 milion ton”, tha Zelensky gjatë një adresimi në orët e vona të 26 gushtit.
Eksportet e drithërave përmes Detit të Zi u ndërprenë pak pasi Rusia nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt.
Në korrik, Rusia dhe Ukraina arritën një marrëveshje për rinisjen e eksporteve. Marrëveshja u ndërmjetësua nga Kombet e Bashkuara.
Zelensky tha se qëkur ka hyrë në fuqi kjo marrëveshje, 44 anije janë larguar nga portet ukrainase dhe kanë dërguar produkte në 15 shtete të huaja.