Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy tha se riparimet e infrastrukturës së energjisë të dëmtuara nga sulmet ruse në vendin e tij janë një prej detyrave më të rëndësishme këtë javë.
Zelenskyy iu drejtua popullit përmes një mesazhi me pamje që postoi në orët e natës nga llogaria e tij në Telegram, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
“Si pasojë e sulmeve me raketa që forcat ruse kanë kryer më 23 nëntor ndaj infrastrukturave kritike të energjisë në rajone të ndryshme të Ukrainës, kanë mbetur pa energji 12 milionë abonentë”, tha Zelenskyy duke shtuar se si rezultat i punimeve të riparimit është ofruar sërish shërbimi i energjisë elektrike për rreth 6 milionë abonentë.
Ai theksoi se ndërprerjet e energjisë elektrike vazhdojnë në rajonet Kiev, Odessa, Dnipro, Vinnytsia dhe Lviv dhe se po përpiqen t’i zgjidhin problemet në kohën më të shpejtë.
Pasi bëri të ditur se vazhdojnë punimet riparuese për infrastrukturën e energjisë elektrike ndaj të cilave ushtria ruse ka kryer sulme intensive, Zelenskyy tha se “Ashtu si në ditët e tjera, edhe këtë javë detyra jonë kyçe është energjia”./FolDrejt/