Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha të enjten se vendi i tij do të jetë fitimtar në luftën e tij me Rusinë nëse nuk ka “vonesa” ose “stagnim” në bashkëpunimin midis Kievit dhe BE-së, raporton Anadolu Agency, përcjell Fol Drejt.
“Askush nuk e di me siguri se sa do të zgjasë lufta dhe cilat beteja do të na sjellin sukses më shpejt… por ajo që është e qartë është se nëse nuk ka vonesa apo stanjacion në bashkëpunimin dhe nëse përpjekjet tona të përbashkëta janë të përqendruara me vendosmëri në fitoren e Ukrainës, fitorja do të arrihet këtë vit”, tha ai në një video fjalim drejtuar Këshillit Evropian.
Duke nënvizuar se bashkëpunimi midis Ukrainës dhe BE-së është rritur në mënyrë të vazhdueshme që nga fillimi i luftës Rusi-Ukrainë, Zelensky tha se ata kanë vepruar së bashku për të ndaluar Rusinë përmes bashkëpunimit në sektorë të tillë si mbrojtja dhe ekonomia.
E gjithë kjo është dëshmi se Evropa di të mbrojë vlerat e saj dhe ka guximin t’i rezistojë terrorit, tha presidenti ukrainas.
Ai tha gjithashtu se pavarësisht rritjes së bashkëpunimit midis Ukrainës dhe BE-së, vonesat në furnizimin e raketave me rreze të gjatë veprimi dhe avionëve modernë ndikuan në veprimet ushtarake të Ukrainës, veçanërisht në rajonet Kherson dhe Zaporizhzhia.
Ai gjithashtu kërkoi arsyet pas vonesës, përkatësisht në rastin e avionëve modernë.
Zelensky tha më tej se “zvarritja” e Evropës në lidhje me sanksionet e reja ndaj Rusisë po bëhet “gjithnjë e më e pakëndshme”, duke vënë në dukje se përpjekjet globale kundër Rusisë nuk janë ende të mjaftueshme, ndërsa BE-ja nuk ka treguar se sanksionet ndaj Moskës do të rriten.
“Nuk mund të ketë as edhe një aluzion të vogël të shtyrjes së vendimeve për sanksionet. Për më tepër, nuk duhet të ketë zbutje të sanksioneve – dhe veçanërisht nën mbulesën manipuluese të sigurisë ushqimore. Sanksionet e forta japin siguri dhe lehtësimi i sanksioneve është një ftesë për kriza të reja, përfshirë krizën ushqimore”, tha ai.
Zelensky foli gjithashtu për formulën e paqes që prezantoi gjatë samitit të G-20 në Indonezi dhe tha se është “i vetmi plan realist dhe gjithëpërfshirës për të rivendosur integritetin territorial të Ukrainës dhe për të garantuar sigurinë për popullin tonë dhe për të gjithë Evropën”.
Ai më tej tha se Ukraina është e gatshme të caktojë një samit të formulës së paqes në Kiev në të ardhmen e afërt, por se një samit i tillë mund të mbahet edhe në një vend tjetër si në një kryeqytet evropian.
Ai tha se procesi i integrimit të Ukrainës në BE është i rëndësishëm për mbrojtjen e vendit si dhe për sistemin evropian.
Ai shprehu gjithashtu gatishmërinë e Kievit për një vendim për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Ukrainës në BE për këtë vit.
“Nëse lufta mund t’u mësojë ndonjë gjë liderëve të prekur prej saj, është se ndershmëria mes aleatëve garanton fitoren,” shtoi ai. /FolDrejt/